SINDIKATA E ARSIMIT PARALAJMËRON GREVË MË 1 SHTATOR

Foto: Ilustrim

Sindikata e Arsimit e Malit të Zi pret një takim me Ministrinë e Arsimit më 25 gusht, pas vendimit për të organizuar një “grevë paralajmëruese publike” më 1 shtator si formë proteste për shkak të pakënaqësisë me uljen e pagave dhe Marrëveshjen Kolektive.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur më 15 gusht, anëtarët e Sindikatës shprehën zhgënjimin e thellë ndaj qëndrimit të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave dhe Qeverisë ndaj të punësuarve në arsim. Ata kritikuan mungesën e dialogut social dhe të komunikimit institucional, duke theksuar se shumë kërkesa dhe propozime të dërguara zyrtarëve nuk kanë marrë përgjigje.

Sindikata ka planifikuar një debat publik mbi Marrëveshjen Kolektive dhe mënyrën e llogaritjes së pagave në arsim, ku do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, drejtorë shkollash dhe juristë.

Po ashtu, planifikohen mbledhje të komiteteve komunale dhe takime me organizatat sindikale për të përgatitur të punësuarit për grevën paralajmëruese.

Në rast se kjo formë proteste nuk jep rezultate, Sindikata paralajmëron përdorimin e të gjitha mjeteve sindikale të ligjshme për të mbrojtur të drejtat e mësimdhënësve, përfshirë edhe mundësinë e padive për shkelje të Marrëveshjes Kolektive.

Pavarësisht revoltës së mësimdhënësve, Sindikata thekson se e vetmja zgjidhje e pranueshme është rikthimi i dialogut me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Financave, me shpresën për një marrëveshje që respekton të drejtat e të gjithë të punësuarve.

SHARE