SHEFI I OKB-së KËRKON ARMËPUSHIM TË MENJËHERSHËM NË GAZË

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm më 21 gusht, pasi Izraeli njoftoi për hapat e parë të operacionit për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës.

“Është thelbësore të arrihet një armëpushim i menjëhershëm në Gazë”, tha Guterres, duke theksuar se kjo ishte e nevojshme “për të shmangur vdekjet dhe shkatërrimin që një operacion ushtarak kundër Qytetit të Gazës pashmangshëm do të shkaktonte”.

Izraeli ka thirrur dhjetëra mijëra rezervistë dhe po vazhdon me planin e tij për të marrë nën kontroll qendrën më të madhe urbane në Gazë pavarësisht kritikave ndërkombëtare se një operacion i tillë me gjasë do të shkaktojë zhvendosjen e më shumë palestinezëve.

Izraeli aktualisht ka nën kontroll rreth 75 për qind të Rripit të Gazës.

Guterres po ashtu bëri thirrje për lirimin pa kushte të pengjeve që mbahen nga Hamasi. Ai po ashtu i bëri thirrje Izraelit që të tërheqë vendimin për zgjerimin e ndërtimit “të paligjshëm” të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Plani izraelit për ndërtimin e një vendbanimi të ri, që praktikisht do të ndante në dysh Bregun Perëndimor dhe do ta shkëpuste nga Jerusalemi Lindor, u bë publik javën e kaluar dhe mori miratimin final nga Ministria e Mbrojtjes të mërkurën.

Ministria e Jashtme palestineze tha se ky plan do të izolonte komunitetet palestineze që jetojnë në atë zonë dhe do të minonte mundësitë për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

SHARE