VDES BARIU NGA ZJARRET NE GREQI, RREZIKOHEN ZONAT PERRETH ATHINËS

Një zjarr që shpërtheu në veri të Athinës i ka marrë jetën një bariu të zonës, ndërsa zjarrfikësit e përballur me një vatër të re masive flakësh paralajmëruan për një rrezik “ekstrem” në rajonin përreth kryeqytetit grek.

“Bariu kishte vrapuar të shpëtonte kafshët e tij, por nuk ia doli dot të dilte i gjallë prej andej”, tha një zëdhënës i brigadës së zjarrfikësve.

Zjarri që po përhapet në rajonin e Boeotia-s rreth 100 kilometra nga Athina ka detyruar evakuimin e banorëve dhe plazhistëve në dy komunitete aty pranë. Në luftën për fashitjen e tij janë përfshirë rreth 56 zjarrfikës si dhe katër avionë cisternë. Zjarret kane vazhduar të digjen për të tretën ditë radhazi në pjesën verilindore të vendit fqinj, pranë qytetit të Alexandroupolis.

Ekipet e zjarrfikësve janë vendosur në disa fronte dhe po përpiqen të ndalojnë përparimin e zjarrit drejt Parkut Kombëtar Dadia, që pësoi dëme të konsiderueshme nga zjarret vitin e kaluar. Të angazhuar në mbarë Greqinë aktualisht janë mbi 200 zjarrfikës, si dhe shumë vullnetarë e policë. Rreziku për ta nuk është i vogël: deri tani, shtatë zjarrfikës dhe një vullnetar janë dërguar në spital me lëndime të ndryshme.

Rreth 12 komunitete u evakuuan gjatë fundjavës dhe autoritetet e mbrojtjes civile u kërkuan banorëve të qëndrojnë brenda shtëpive për shkak të tymit. Autoritetet e mbrojtjes civile paralajmëruan për një rrezik “ekstrem” zjarri në rajonin përreth Athinës dhen pjesë të tjera të Greqisë jugore.

SHARE