MUGOSHA: PARLAMENTI TË FORMOJË KOMISIONIN E REFORMËS ZGJEDHORE

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) Nikolla Mugosha tha se pret që Kuvendi i ri së shpejti të formojë Komisionin për reformë zgjedhore, duke shtuar se KSHZ-ja do ta mbështesë atë në mënyrë aktive.

Misioni i OSBE-së në Mal të Zi, si pjesë e mbështetjes së tij për KSHZ-në, organizoi një vizitë studimore të përfaqësuesve të Komisionit në Londër, midis 16 dhe 18 gusht.

Siç është njoftuar nga Misioni i OSBE-së, vizita është organizuar me qëllim të forcimit të kapaciteteve administrative për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara të mund të votojnë në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë.

Thuhet se Mugosha dhe anëtari i Komisionit që përfaqëson organizatat joqeveritare dhe komunitetin akademik, Damir Suleviq, së bashku me ushtruesin e detyrës së menaxherit të Programit të Demokratizimit të Misionit, Darko Brajoviq, takuan zyrtarë të kabinetit dhe Komisionit Zgjedhor, Shoqatës së Administratorëve Zgjedhor.

Ata janë takuar edhe me përfaqësues të Shoqatës për Reformën Zgjedhore dhe disa nga organizatat kryesore humanitare për personat me aftësi të kufizuara.

Mugosha prezantoi kornizën zgjedhore malazeze dhe në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it, kërkesën që Kuvendi të zbatojë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore.

Ai tha se pret që Kuvendi i ri së shpejti të formojë Komisionin për Reformë Zgjedhore, të cilin KSHZ-ja do ta përkrahë aktivisht.

Suleviq prezantoi ndryshimet e fundit të bëra nga KSHZ-ja në aktet e saj nënligjore, të cilat ua lehtësuan votën votuesve me aftësi të kufizuara.

Brajoviq theksoi rëndësinë e sigurimit që personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të marrin pjesë në mënyrë efektive në jetën politike dhe publike në kuadër të zbatimit të të drejtave themelore demokratike në Mal të Zi.

Shefi i Administratës Zgjedhore në Kabinet, Paul Docker tha se ligji i aksesueshmërisë në Britaninë e Madhe hoqi pengesat për votuesit me aftësi të kufizuara.

Misioni i OSBE-së tha se Instituti Kombëtar Mbretëror i të Verbërve prezantoi punën për bërjen e votimit të aksesueshëm për personat e verbër dhe me shikim të dobët.

SHARE