ARRIHET MARRËVESHJA PËR AVIONËT F-16 PËR UKRAINËN

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, përshëndeti të dielën vendimin që ai e quajti historik, të Holandës dhe Danimarkës, për ti dhënë vendit të tij avionët luftarakë amerikanë F-16, lëvizja më e fundit kjo e aleatëve perëndimorë për të ndihmuar në përpjekjet e vendit për të zbrapsur pushtimin rus.

Zelenski ka kërkuar avionët e avancuar prej muajsh, për të forcuar fuqinë në ajër të Ukrainës, ndërsa po vazhdon kundërsulmin e shumëpërfolur kundër forcave ruse në lindje. Uashingtoni njoftoi të premten se do të lejonte transferimin e F-16-ave, me trajnimin e pilotëve ukrainas që do të nisë këtë muaj. Kjo do të lejojë ukrainën të përdorë avionët në luftime nga fillimi i vitit të ardhshëm.

“Vendimi është absolutisht historik, i fuqishëm, dhe një frymëzim për ne”, tha Zelenski në krah të kryeministrit holandez Mark Rutte, gjatë një vizite në bazën e forcave ajrore Eindhoven, në Holandë.

Rutte tha se numri i F-16ave që do ti jepet kievit nuk është përcaktuar ende, por më vonë, zelenski foli për 42 avionë të tillë që do të vinin në duart e luftëtarëve ukrainas. Pas Holadës, Zelenski udhëtoi drejt bazës së forcave ajrore Skrydstrup, të Danimarkës ku u prit nga kryeministrja e vendit Mette Frederiksen, e cila i tha: “ E dimë se ju ju nevojiten më shumë, por ne sot njoftojmë se do ti dhurojmë 19 avionë luftarakë F-16 Ukrainës. Gjashtë prej tyre do të dërgohen në vend në fund të këtij viti, tetë vitin e ardhshëm dhe pesë në 2025-ën,” tha ajo.

Zelenski foli për një mbështetje shumë të fuqishme dhe tha se misionet e trajnimit tashmë kanë nisur. Në një deklaratë të ndarë, Zelenski falenderoi edhe SHBA që ka rregulla strikte për shitjen apo transferimin e pajisjeve ushtarake amerikane nga aleatët e tij.

SHARE