Foto: Luka Zeković
Sindikata e Arsimit të Malit të Zi ka dërguar një letër të hapur publikut, duke paralajmëruar se tre të katërtat e stafit mësimor do të kenë ulje page deri në 50 euro ose më shumë me pagën e korrikut, për shkak të zbatimit të një sistemi të ri softuerik për llogaritjen e pagave, i cili sipas tyre nuk përputhet me Marrëveshjen Kolektive për Arsimin.
Sindikata akuzon Ministrinë e Financave se pa konsultime paraprake dhe pa arsyetim ligjor ka ndryshuar mënyrën e llogaritjes së pagave, duke anashkaluar dispozitat specifike të marrëveshjes kolektive që kanë qenë baza e përllogaritjes së pagave për arsimin gjatë viteve.
Në takimin e prillit me ministren e Arsimit dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, ishte premtuar se do të kërkohej një zgjidhje kompromisi për të aplikuar softuerin e ri pa ulje page, por në fund të qershorit Sindikata u njoftua se nuk do të bëhen ndryshime në marrëveshje dhe softueri do të aplikohet pavarësisht.
Problemi kryesor është trajtimi i disa shtesave të pagave, si përgjegjësia e klasës, puna në dy institucione, titujt shkencorë e mësimorë, që tani trajtohen si “shtesa të zakonshme”, ndërsa sipas marrëveshjes ato janë pjesë përbërëse e pagës bazë.
Sindikata thekson se Ministria e Financave po anashkalon mekanizmin ligjor dhe po përpiqet të reduktojë pagat duke i klasifikuar si shtesa që nuk njihen nga ligji.
Po ashtu, Sindikata shpreh shqetësim për mungesën e dialogut dhe konsultimeve, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të parimeve të dialogut social që kërkon edhe Bashkimi Europian.
Sindikata kërkon përgjegjësi nëse praktika e mëparshme ka qenë e paligjshme dhe paralajmëron se do të kërkojë mbrojtje ligjore për të drejtat e punonjësve të arsimit.