Kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë për skadimin e afatit të caktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është shënuar përpjekja e 50-të me radhë e dështuar.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.
Nga 104 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
“Për sot ndërpritet seanca, seanca vazhdon më 23 korrik 2025 në ora 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se partia e tij, në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Alternativën, kanë bërë shumë përpjekje për konstituim të Kuvendit, dhe u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve për të reflektuar mbi situatën e krijuar.
“Përpjekjet vazhdojnë. Kryeministri në detyrë ka pasur ofertë konkrete për disa parti politike. Aktualisht ka dhënë ofertë për Nismën Socialdemokrate, ndërsa në një fazë më të hershme ka pasur ofertë për të diskutuar për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë Peci para gazetarëve duke përmendur se edhe me Kushtetutë, kryetari i Kuvendit i takon grupit më të madh, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.