KOSOVA THIRRJE QYTETARËVE: MOS UDHËTONI NË BE ME DOKUMENTE TË SKADUARA

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj të gjithë bashkatdhetarëve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës përmes rrugëve tokësore, veçanërisht për ata që posedojnë dokumente udhëtimi të skaduara.

Në njoftimin e saj zyrtar, ministria thekson se disa vende tranziti kërkojnë dokumente të vlefshme për të lejuar kalimin nëpër territorin e tyre, pa bërë përjashtim.

Prandaj, udhëtimi me pasaporta ose kartë identiteti të skaduara nuk do të lejohet në këto vende, edhe nëse vendi i nisjes e lejon përdorimin e tyre.

Ministria thekson se, duke u bazuar në rastet e fundit të paraqitura gjatë kalimeve tranzit, veçanërisht në territorin e Italisë, është shumë e rëndësishme që qytetarët të verifikojnë paraprakisht kërkesat për dokumentacion për secilin vend tranziti gjatë udhëtimit të tyre.

Në këtë kontekst, ajo apelon që të gjithë qytetarët të planifikojnë me kujdes udhëtimet dhe të informohen më parë mbi rregullat për kalimin kufitar në çdo shtet tranziti që do të kalojnë.

Në rast se lind ndonjë pasiguri ose nevojë për sqarime shtesë, qytetarët këshillohen të kontaktojnë ambasadat ose konsullatat e Kosovës për të marrë udhëzime të plota dhe të sakta.

SHARE