GJOBAT PËR SHKELJE NË KOMUNIKACION MUND TË PAGUHEN NË VENDNGJARJE

 Foto: Shutterstock

Drejtoria e Policisë ka rikujtuar qytetarët dhe turistët se gjobat për shkelje në komunikacion mund të paguhen në vendngjarje përmes pajisjes për pagesa me kartelë.

Nga policia kanë njoftuar se të gjitha automjetet janë të pajisura me pajisje që mundësojnë pagesën me të gjitha llojet e kartelave bankare të lëshuara nga banka vendase dhe të huaja, përfshirë edhe pagesën pa kontakt.

„Në rast se një polic trafiku ju gjobit për ndonjë shkelje, gjobën mund ta paguani menjëherë me kartelë bankare, por jo në para të gatshme,“ kanë rikujtuar nga Drejtoria e Policisë.

Turistët e anketuar thonë se nuk kanë ditur për këtë mundësi dhe se është mirë që, në vapë të madhe, nuk kanë nevojë të kërkojnë zyrë postare apo bankë.

Ata theksojnë se gjithsesi është më e lehtë që ekziston mundësia e pagesës me kartelë në vendngjarje.

“Vitin e kaluar e tejkalova shpejtësinë dhe kujtoj që ishte e diel, tërë ditën kërkova bankë apo postë për të paguar, por nuk arrita dot”, shprehet një turiste për TVMZ.  

Edhe qytetarët e Malit të Zi kryesisht nuk janë të informuar për mundësinë që gjobën e komunikacionit mund ta paguajnë në vendngjarje. Ata thonë se kjo është në rregull, nëse, siç theksojnë, shkelja është me të vërtetë kryer. Nëse gjoba është e justifikuar, natyrisht.

“Pajisjet për pagesa me kartelë janë të disponueshme edhe në rreth dhjetë pika kufitare, gjë që e lehtëson ndjeshëm përmbushjen e detyrimeve për personat e huaj që nuk kanë vendbanim në Mal të Zi”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë.

Drejtoria e Policisë u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe, në rast shkeljeje, të shfrytëzojnë mundësinë e pagesës në vendngjarje përmes pajisjes për pagesa me kartelë.

SHARE