Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat strategjik i Malit të Zi dhe çdo ditë punohet që Mali i Zi të jetë një vend i sigurt dhe konkurrues për investimet e kompanive amerikane, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Gjatë vizitës së tij në Uashington, ai u takua me Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump.
Gjeloshaj tha se gjatë takimit i shprehu mirënjohje Grenellit për faktin që është mik i madh i vendeve të Ballkanit dhe e ftoi të mbështesë qytetarët e Malit të Zi dhe qeverinë në rrugën drejt integrimeve evropiane, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të marrëdhënieve me SHBA-në.
“E sigurova se SHBA është aleati ynë strategjik dhe se çdo ditë punojmë që Mali i Zi të jetë vend i sigurt dhe konkurrues për investime nga kompanitë amerikane,” tha Gjeloshaj.
Ai shtoi se përmes marrëdhënieve ekonomike dhe afariste do të thellohen më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve.