Në selinë e Lëvizjes “Evropa Tani” në Podgoricë, sot kanë vazhduar negociatat zyrtare për formimin e qeverisë së re.
Kryetari i Lëvizjes “Evropa Tani” Millojko Spajiq është takuar me përfaqësuesit e Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj, Ferhat Dinosha dhe Nikollë Camaj për formimin e qeverisë.
“Ne kemi parimet tona dhe ia kam paraqitur sot Lëvizjes “Evropa Tani”. Ne kemi angazhimet tona programore. Baza e gjithçkaje është që Qeveria të jetë e qëndrueshme dhe sa më afatgjatë. Ne jemi të gjithë subjekte të veçanta të cilat kemi angazhime programore.. Për ne është shumë i rëndësishëm orientimi politik i jashtëm i qeverisë, që nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, anëtarësimi në NATO, njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha Gjeloshaj pas takimit.
Gjeloshaj tha se përveç parimeve, Spajiqit i kanë prezantuar edhe idetë për përfitimet e pleqërisë dhe mbylljen e basteve dhe kazinove.
I pyetur se cila ishte përgjigja e Spajiqit ndaj propozimit për mbylljen e pikave të basteve dhe kazinove, përfaqësuesi i Forumit Shqiptar u përgjigj:
“Ne do te kemi diskutime shtesë mbi këtë, këto janë vendime që duhet t’i analizojmë më tej. Jemi të qartë me të gjithë partnerët tanë të mundshëm”.
Lideri i Partisë Popullore Socialiste e Malit të Zi, Vlladimir Jokoviq, pas takimit me liderin e Lëvizjes “Evropa Tani”, Millojko Spajiq, tha se në takim është arritur një marrëveshje e lartë për sa i përket parimeve të qeverisë së ardhshme, të cilat Lëvizja “Evropa Tani” ua dorëzoi partnerëve të mundshëm.
Ai tha se është e rëndësishme që Qeveria të jetë më e gjerë për të qenë më stabile.
Ai theksoi se nuk është folur për ndarje të departamenteve.
Bartësi i listës së Aleancës Shqiptare, Genci Nimanbegu tha se takimi i sotëm zyrtar me liderin e Lëvizjes “Evropa Tani” Millojko Spajiq për formimin e qeverisë ka kaluar në një atmosferë të mirë.
Ai bëri të ditur se koalicioni shqiptar do të kërkojë që propozimi i parimeve të “Evropa Tani” për formimin e qeverisë së re të plotësohet, ndër të tjera, me kërkesa për decentralizimin e pushtetit dhe veprime shtesë afirmative.
“Është shumë e rëndësishme për Iniciativën Qytetare Kroate që drejtimi i qeverisë së ardhshme të jetë padiskutim perëndimor, tha kreu i IQK-së, Adrijan Vuksanoviq pas një takimi me liderin e Lëvizjes “Evropa Tani”, Millojko Spajiq.
Ai u tha gazetarëve se po kërkonin një ndryshim në parimet e Lëvizjes “Evropa Tani” dhe se do të bënte një propozim për integrimin e popujve pakicë.
“Negociatat u zhvilluan në një frymë të mirë, duke nxitur kulturën e dialogut. Mund të them se jemi të kënaqur me përmbajtjen e bisedimeve. Kjo ishte një mundësi për të sqaruar disa detaje dhe rrethana të reja”, tha Vuksanoviq.