RUSIA SULMON ODESËN, SHKATËRRON QINDRA TONË REZERVA USHQIMORE

Rusia vazhdoi sulmet në portet ukrainase të Detit të Zi për të katërtën ditë me radhë duke goditur objektet e magazinimit të grurit në rajonin e Odesës dhe duke shkaktuar dëme e lëndime.

Agresioni erdhi pasi Rusia refuzoi të vazhdonte marrëveshjen e lehtësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkura, përmes së cilës ishte lejuar eksporti i sigurt i grurit të Ukrainës në vende tjera.

Guvernatori rajonal, Oleh Kiper, tha se Rusia lëshoi raketa të tipit Kalibër nga anijet në Detin e Zi, duke shkatërruar një terminal të drithërave dhe duke plagosur dy persona.

“Fatkeqësisht, u godit një terminal drithërash i një prej ndërmarrjeve bujqësore të rajonit të Odesës. Armiku shkatërroi 100 tonë bizele dhe 20 tonë elb. Dy persona u plagosën nga shpërthimi”, tha Kiper.

Kiper tha se fillimisht dy raketa goditën hambarin, duke shkaktuar zjarr, më pas një raketë e tretë goditi të njëjtin vend në kohën kur zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin flakët.

“Një raketë tjetër goditi të njëjtën ndërmarrje, duke dëmtuar pajisjet bujqësore dhe të shpëtimit. Një zjarr në një sipërfaqe prej më shumë se 200 metra katrorë u shua shpejt”, tha Kiper.

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se marina e saj kreu një “ushtrim” me zjarr të drejtpërdrejtë në veriperëndim të Detit të Zi më 21 korrik, vetëm disa ditë pasi Kremlini tha se anijet e ngarkesave që shkojnë në drejtim të porteve të Ukrainës në Detin e Zi do të konsideroheshin si objektiva të mundshëm ushtarakë.

SHARE