Qofte të Pjekura me Djathë dhe Salcë Domatesh

Një gatim i veçantë që përgatitet shumë shpejt dhe me pak përbërës por shija e tyre është e mrekullueshme.

Përgatiten krejt lehtë dhe në një kohë të shkurtër. Mund të shërbejnë mjaft mirë si meze në tryezën e ngrënies, për të shoqëruar gatime të tjera por edhe si pjatë kryesore me garniturë në  vaktet e drekës apo darkës.

AgroWeb.org përcjell më poshtë recetën unike të përgatitjes së qofteve të pjekura me miell misri dhe salcë domatesh.

Për 4-5 persona nevojiten

  • 2 gota uji miell misri
  • 3-4 lugë gjelle vaj ulliri për brumin
  • Gjysmë luge kafeje sodë buke
  • 3 kokrra vezë
  • 4-5 lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar
  • Vaj për skuqje
  • Erëza
  • 3-4 gota ujë
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz ose nenexhik i grirë

Për salcën nevojiten

  • 3-4 domate mesatare
  • 1 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

Si fillim sitet mielli i misrit dhe e përzihet me sodën e bukës, në mënyrë që të mos krijohen kokrriza tek brumi.

Në një tenxhere vendosni ujin për të valuar me pak kripë dhe vajin e ullirit.

Kur të valojë uji, hiqeni nga zjarri dhe hidhni aty miellin e misrit dhe përzijeni derisa të krijohet një masë e trashë dhe homogjene.

Më pas tenxheren vendoseni përsëri në zjarr duke e përzier vazhdimisht.

AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni një lugë druri, kështu do ta kini më të lehtë punimin e brumit.

Kur masa të ketë filluar të shkëputet nga anët e tenxheres, brumi është gati.

Largoheni nga zjarri dhe kur të jetë ftohur shtojmë vezët, djathin e bardhë, majdanozin, kripën dhe piperin sipas dëshirës.

Brumi punohet mirë, në mënyrë që të gjithë përbërësit të jenë përzier plotësisht me njëri tjetrin.

Më pas me ndihmën e një luge, ndani brumin në qofte të vogla, të cilave u jepet forma e rrumbullakët. Spërkatni me pak miell gruri e jepini një skuqje të lehtë në tigan.

Kur të kenë marr një ngjyrë të artë hiqini nga tigani dhe vendosini në një pjatë me letër kuzhine, në mënyrë që të përthithet yndyra e tepërt.

Pasi i keni larë me ujë të bollshëm domatet, vendosini për t’i grirë imët në grirësen elektrike.

Në një tigan hidhni vajin e ullirit një thelbi hudhër të prerë dhe më pas shtoni salcën e domates.

Lëreni në zjarr derisa të fillojë të ziejë, më pas hidheni në një tavë qelqi ose balte.

Në tavë vendosni të gjitha qoftet me pak distancë nga njëra tjetra dhe piqini në furrë përreth 15 minuta në 180-200 gradë.

Nëse dëshironi mund t’i hidhni sipër djathë kackavall të grirë, për t’i bërë akoma dhe më shijshme.

Qoftet shërbehen të nxehta, dhe janë perfekte për t’u shoqëruar me sallata të ndryshme apo dhe me salcë kosi të përgatitur në shtëpi. /AgroWeb.org

SHARE