NDËRPRERJA E ENERGJISË ELEKTRIKE / BALLUKU: ENDE JEMI NË RREZIKSHMËRIE TË LARTË

Energjia elektrike është ndërprerë mesditën e sotme në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Kukës, Sarandë e Elbasan.

Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri sqaroi se defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Shkak konsumi përtej normales i rrymës elektrike në këto ditë që vendi është kapluar nga i nxehti afrikan. OST thotë se defekt është identifikuar edhe në linjën e Prizrenit.

“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit. Nga kqyrja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ektreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit. OST po merr masa për rikthimin e energjisë elektrike te të gjithë konsumatorëve.

Në një deklaratë të orës 15:25 minuta ministrja Balluku informoi se i gjithë vendi furnizohet me energji elektrike por nënvizoi se ende jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë, pasi volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë shumë të mëdha në këto momente dhe nga ana tjetër temperaturat do të jenë të tilla, në nivele rekord edhe në ditët në vazhdim.

“Duke nisur nga linja e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pati një avari dhe më pas në efekt kaskadë i gjithë vendi, kemi pasur shkëputje të energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, jemi informuar nga operatorët e tjerë të transmetimit në rajonin tonë se e njëjta situatë ka ndodhur edhe në Malin e Zi dhe pjesërisht në Kroaci dhe në Bosnjë Hercegovinë.

Nga analiza e parë, por sigurisht duhet të marrim kohën tonë për të bërë një analizë të thelluar teknike, rezulton se volumet e mëdha në sistemet e transmetimit në këto momente, por gjithashtu edhe temperaturat shumë të larta në nivele rekord, kanë krijuar këtë lloj problematike teknike.

Vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë, pasi volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë shumë të mëdha në këto momente dhe nga ana tjetër temperaturat do të jenë të tilla, në nivele rekord edhe në ditët në vazhdim. Duhet thënë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë operatorët e tjerë të transmetimit në rajon për të bashkërenduar punën me ta dhe sigurisht do të vazhdojmë që të bëjmë analizën e duhur teknike për të gjetur problematikën dhe për ta mbajtur rrjetin të sigurt” tha ministrja Balluku.

SHARE