Foto: presidenti.al
Një grup nxënësish nga shkolla fillore “Mahmut Lekiq” vizituan sot Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë kësaj vizite, nxënësit e kësaj shkolle u njohën me ambientet ku zhvillohen takime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me funksionin dhe aktivitetet kryesore të Presidencës.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i uroi mirëseardhjen nxënësve dhe theksoi rëndësinë e intensifikimit të vizitave ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke shtuar se me anëtarësimin e përbashkët në Bashkimin Evropian, kufijtë do të mbeten vetëm në hartë.
Gjatë takimit, nxënësit e përshëndetën Presidentin me një këngë me çifteli dhe një poezi patriotike.
Presidenti Begaj propozoi hapjen e dyerve të institucioneve për fëmijët nga të gjitha trevat dhe zhvillimin e vizitave në familjet shqiptare, si dhe mësimin e historisë në institucionet përkatëse.
Ai u fokusua te rëndësia e leximit dhe përkushtimit për të arritur dijet përmes shkollës, duke theksuar se “ëndrrat janë të bukura kur punohet për t’i realizuar”.
Presidenti Begaj përgëzoi drejtorin e shkollës, Luigj Dedvukaj, dhe mësimdhënësen Hanë Camaj për pasionin dhe angazhimin e tyre në mësimdhënien e gjuhës shqipe, duke këshilluar ndjekjen e modelit arbëresh për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës amtare.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e përdorimit të teknologjisë për të mbështetur zhvillimin e gjuhës shqipe dhe beson se bashkëpunimi mes institucioneve arsimore të Shqipërisë dhe Malit të Zi do të sjellë projekte që rrisin cilësinë e mësimdhënies përmes shkëmbimit të përvojave më të mira në këtë fushë.