Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, është drejtuar qytetarëve me një fjalim me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe përvjetorit të dytë të mandatit të tij në krye të shtetit.
Ai ka theksuar përkushtimin ndaj përparimit të vendit dhe ruajtjen e rendit kushtetues, duke vlerësuar arritjet në rrugën evropiane dhe përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Malit të Zi.
“Para dy vitesh dhashë fjalën se do të punoj me përkushtim për të mirën e Malit të Zi dhe si i pari ndër të barabartët, do të qëndroj fort në mbrojtje të rendit të tij kushtetues,” deklaroi Millatoviq në fjalimin e tij.
Ai theksoi se përparimi i Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian është konkret dhe më i afërt se kurrë më parë. Sipas tij, vendi ka rifituar besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe ka ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Në takimet me liderët evropianë dhe botërorë kemi dërguar një mesazh të qartë: Mali i Zi e di kush është, ku po shkon dhe me kë po shkon,” u shpreh Presidenti i Malit të Zi.
Millatoviq shtoi se është përpjekur të qëndrojë afër qytetarëve dhe të dëgjojë nevojat e tyre, duke u angazhuar për përfshirjen e të gjithëve – nga komuniteti akademik, shoqëria civile, të rinjtë dhe të moshuarit – në proceset politike dhe shoqërore.
“Politika nuk duhet të jetë e mbyllur në institucione – ajo duhet të jetojë mes njerëzve,” theksoi ai.
Presidenti bëri thirrje për bashkëpunim dhe unitet që respekton dallimet, duke theksuar se drejtësia nuk është e plotë derisa të jetë e barabartë për të gjithë.
Ai konfirmoi se lufta kundër korrupsionit, forcimi i institucioneve dhe reformat evropiane mbeten prioritete kyçe të mandatit të tij.
Në fund të fjalimit, Millatoviq falënderoi qytetarët për mbështetjen, kritikat dhe dialogun, duke theksuar se puna për një Mal të Zi të zhvilluar, demokratik dhe evropian do të vazhdojë me vendosmëri.
“Të nderuar qytetarë, gëzuar Dita e Pavarësisë!” theksoi presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.