Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi sot feston Ditën e Pavarësisë dhe 19-vjetorin që nga rivendosja e pavarësisë shtetërore përmes referendumit.
Në referendumin e mbajtur më 21 maj 2006, votuan 419.240 qytetarë, që përbënin 86.5 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve.
Pavarësinë e mbështetën 230.661 qytetarë, ose 55.5 për qind e atyre që morën pjesë në referendum, ndërsa 185.002 qytetarë, ose 44.5 për qind, votuan për të qëndruar në bashkësinë shtetërore me Serbinë.
Paraprakisht, Kuvendi i Malit të Zi kishte miratuar Ligjin për referendumin, i cili ishte dakorduar me rekomandimin e Bashkimit Evropian.
Për suksesin e referendumit, kërkohej që të mbështetej nga të paktën 55 për qind e votuesve që merrnin pjesë.
Pyetja në referendum ishte: “A dëshironi që Republika e Malit të Zi të jetë një shtet i pavarur me subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe juridik?”
Kuvendi i Malit të Zi, më 2 mars, me propozimin e presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, mori vendim që referendumi për statusin shtetëror-juridik të mbahej më 21 maj.
Për kryetar të Komisionit Republikan të Referendumit (RRK) u zgjodh sllovaku Frantishek Lipka.
Të drejtën për të votuar në referendum e kishin qytetarët që, sipas ligjit për zgjedhjet, kishin të drejtë vote.
Sipas të dhënave të RRK-së, të drejtë vote në referendum kishin 484.700 qytetarë.
Me rastin e Ditës së Pavarësisë, datat 21 dhe 22 maj janë ditë pushimi.
Festimet do të organizohen sot dhe nesër në disa qytete të Malit të Zi.