KURTI: KANDIDATURA E HAXHIUT NUK TËRHIQET, JEMI TË GATSHËM PËR KOMPROMISE PËR QEVERINË

Foto: AA

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet.

Kurti, i cili foli në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, tha se Haxhiu është gruaja më e votuar në LVV me mbi 125 mijë vota.

“Propozimi për kryetare të Kuvendit është Albulena Haxhiu. Ajo ka marrë mbi 125 mijë vota dhe është gruaja më e votuar në zgjedhje. Nuk lejoj të shkelet gruaja më e votuar”, u shpreh Kurti, duke mos dhënë shenja se mund ta ndërrojë emrin e saj, siç janë duke kërkuar disa nga partitë e ish-opozitës parlamentare në Kosovë.

Kurti tha se vendimi i partisë së tij është që ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të shkojë në legjislativin e vendit, ndërsa ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca të bëhet pjesë e qeverisë së re.

“Ne kemi marrë vendim ta propozojmë ministren e Drejtësisë, gruan më të votuar, Albulena Haxhiun, për kryetare të Kuvendit, ndërkaq, Glauk Konjufca jemi marrë vesh që do të bëhet anëtar i qeverisë në ‘Kurti 3’. Glauku po vjen në ekzekutiv, Albulena po kthehet në legjislativ”, tha Kurti.

Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do t’i ketë shumicën e votave për formimin e qeverisë së re, por, së pari duhet të emërohet kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarët e këtij institucioni, e më pas të formohet qeveria.

Kreu në detyrë i qeverisë, Kurti, pranoi se për ta bërë qeverinë e re duhet të bëjë kompromise e koncesione.

“Kur formohet qeveria do të na duhet të bëjmë koncesione e kompromise, dhe këtu natyrisht që ne do t’i bënim sërish bisedat me të tjerët e natyrisht para së gjithash me pakicat që tashmë i kemi si vota për Albulena Haxhiun dhe me të cilët kemi bashkëqeverisur deri më tani dhe me Nismën me të cilën kemi pasur takime”, theksoi ai.


SHARE