DËSHTON PËR TË 19-tën HERË KONSTITUIMI I KUVENDIT TË KOSOVËS

Foto: Presidenca e Kosovës

Shënohet edhe një dështim i radhës, i 19-ti me radhë, në përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Shumica e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk i dhanë mbështetje krijimit të një komisioni “ad-hoc” për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propozuar nga partia më e madhe Lëvizja Vetëvendosje.

Nga deputetët e pranishëm në sallë vetëm 54 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.

“Ndërpritet seanca, takohemi më 23 maj në orën 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Partia e dytë më e madhe, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka përsëritur se LVV-ja duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ta mbështesin votimin e kryeparlamentarit.

Por, për ndryshimin e kandidatit, kreu i LVV-së Albin Kurti tha se “nuk lejoj të shkelet gruaja më e votuar e partisë”.

SHARE