DELEGACIONI I PARLAMENTIT EVROPIAN PËR BUXHETIN PO NDJEK REFORMAT NË MAL TË ZI

Foto: Luxembourg Times

Delegacioni i Komisionit për Buxhet të Parlamentit Evropian do të qëndrojë në Mal të Zi javën e ardhshme (nga 26 deri më 28 maj), me qëllim vlerësimin e zbatimit të Instrumentit të sapo krijuar për Reformë dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, mbështetjen aktuale të para-anëtarësimit, si dhe pasojat e mundshme buxhetore që mund të sjellë anëtarësimi i Malit të Zi në Kornizën Shumëvjeçare Financiare pas vitit 2027.

Parlamenti Evropian miratoi në fillim të majit një rezolutë mbi buxhetin për periudhën 2028–2034, në të cilën bëhet thirrje për një Kornizë Shumëvjeçare Financiare shumë më ambicioze, që do të mundësojë përmbushjen e pritshmërive gjithnjë në rritje të qytetarëve të BE-së në kontekstin e paqëndrueshmërisë globale.

Deputetët theksuan se kufiri aktual i shpenzimeve prej 1% të të ardhurës kombëtare bruto të 27 vendeve anëtare të BE-së nuk është i mjaftueshëm për të përballuar numrin në rritje të krizave dhe sfidave.

“Në rrethanat kur SHBA po tërhiqet nga roli i saj global, shpenzimet do të duhet të orientohen drejt luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës, kushteve shumë të vështira ekonomike dhe sociale, hendekut në konkurrueshmëri, si dhe përkeqësimit të krizës klimatike dhe asaj të biodiversitetit,” thuhet në rezolutë.

Prioritetet e Parlamentit janë hartuar me qëllim që të merren parasysh në propozimin e Komisionit për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së, i cili pritet të publikohet në korrik të vitit 2025.

Korniza Shumëvjeçare Financiare përcaktohet për një periudhë shtatëvjeçare dhe cakton kufijtë maksimalë të shpenzimeve për fusha të ndryshme të politikave.

Pas sigurimit të miratimit nga Parlamenti Evropian, qeveritë e BE-së e miratojnë me konsensus rregulloren për Kornizën Shumëvjeçare Financiare.

Buxheti aktual afatgjatë i BE-së përfundon më 31 dhjetor 2027.

SHARE