SHBA – BE: AKSIONI POLICOR NË VERI, I PAKOORDINUAR DHE PËRSHKALLËZON TENSIONET

Bashkimi Evropian dhe Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e kanë kritikuar të martën një aksion policor të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës ndaj zyrave financiare, duke e cilësuar atë si përshkallëzues dhe të njëanshëm.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, tha në një komunikatë për media zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano theksoi më 21 maj se aksioni policor i një dite më parë në veri i vë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në fillim të vitit të kaluar.

Ai e përsëriti se “statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe”.

Stano u bëri thirrje dy vendeve fqinje t’i kthehen dialogut të Brukselit.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASH-i shtoi se aksioni nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”.

Sipas Departamentit të Shtetit, ky veprim minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

SHARE