Agjencia amerikane e mbrojtjes së mjedisit njoftoi se ka pasur një shtim shqetësues të sulmeve kibernetike ndaj kompanive të menaxhimit të ujësjellësve në të gjithë vendin.
Goditjet po bëhen jo vetëm më të shpeshta, por edhe më të rënda, paralajmëruan drejtues të saj të cilët i bënë thirrje enteve menaxhuese të rrjetit të ujësjellësve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të mbrojtur ujin e pijshëm.
Gati 70% e ndërmarrjeve të inspektuara gjatë vitit të kaluar shkelën standardet që synonin të parandalonin sulmet kibernetike dhe regulla të tjera sigurie, tha agjencia.
Zyrtarët kërkuan që edhe rrjetet e vogla të furnizimit me ujë të përmirësojnë mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike.
Duket se komunitetet më të vogla në Shtetet e Bashkuara janë shënjestruar së fundi nga sulme kibernetike që vijnë prej grupesh të lidhura me Rusinë dhe Iranin kanë vënë në shënjestër komunitetet më të vogla në Shtetet e Bashkuara.
Disa rrjete të furnizimit me ujë të pijshëm kanë mbrojtje të dobët të infrastrukturës bazë, duke përfshirë rregullin për ndryshimin e fjalëkalimeve dhe atij të ndërprerjes së qasjes në sistem për ish-punonjësit.
Ndikimet e mundshme nga sulmet kibernetike përfshijnë ndërprerjen e operacioneve të trajtimit të ujit, rezervuarëve të ujit, dëmtimin e pompave dhe valvulave dhe mbi të gjithë, ndryshimin e niveleve kimike të ujit në sasi të rrezikshme, thuhet në raport.