NGA RRËMUJA NË STADIUMIN NË EL SALVADOR, 12 TË VDEKUR

Në një rrëmujë në një stadium në El Salvador, ku tifozët e futbollit ishin mbledhur për një turne lokal, të shtunën, më 20 maj, humbën jetën 12 persona, tha policia.

Autoritetet thonë se informacionet fillestare tregojnë se ka pasur shtypje një rrëmujë mes tifozëve, të cilët u përpoqën të hynin në stadiumin Cuscatlan në San Salvador, kryeqyteti i këtij vendi në Amerikën Qendrore, për të parë ndeshjen mes ekipeve Alianza dhe FAS.

“Sipas të dhënave paraprake, kemi 12 viktima”, u tha gazetarëve drejtori i policisë Mauricio Arriaza.

Ministri i Brendshëm, Juan Carlos Bidegain tha se shërbimet e mbrojtjes civile ishin të parat që reaguan në vendin e ngjarjes.

Carlos Fuentes, zëdhënës i shërbimit të urgjencës Comandos de Salvamento, tha se ndihma u është ofruar më shumë se 500 njerëzve.

“Rreth 100 persona u dërguan në spital, në gjendje të rëndë, disa duke shfaqur shenja ngufatjeje dhe lloje të tjera traumash”, tha Fuentes.

Ai tha se rrëmuja filloi pasi porta e stadiumit ra, duke shkaktuar tollovi dhe shtypje të turmës së njerëzve.

Policia njoftoi se së paku dy nga të lënduarit janë në gjendje kritike, raporton AP.

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele tha se aksidenti do të hetohet dhe se përgjegjësit do të ndëshkohen.

“Të gjithë do të hetohen, ekipet, menaxherët, stadiumi, arka, liga, federata”, shkroi Bukele në Twitter.

Federata e Futbollit e Salvadorit tha se “shpreh keqardhje të thellë” për ngjarjet që ndodhën në stadium dhe “shpreh solidaritetin e saj” me familjet e viktimave.

Tragjedia ndodhi shtatë muaj pasi 135 njerëz, duke përfshirë më shumë se 40 fëmijë, vdiqën në një rrëmujë pas një ndeshje futbolli në Malang të Indonezisë.

SHARE