KOSOVË, MBAHET CEREMONIA E FILLIMIT TË STËRVITJES MË TË MADHE NDËRKOMBËTARE NË BALLKAN “DEFENDER EUROPE 23”

Në Kosovë është mbajtur ceremonia e fillimit të stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare në Ballkan “Defender Europe 23” e cila organizohet nga Aleanca Veriatlantike (NATO), raporton Anadolu.

Në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, në kuadër të ceremonisë hapëse të “Defender Europe 23”, morën pjesë krerë të institucioneve të huaja, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministra të Qeverisë së Kosovës, kryetarë komunash, ushtarakë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se qëndresa e Kosovës nuk gjendet vetëm në armët e saj, por në lidhjet me miqtë që ka dhe po i kultivon çdo ditë.

Ajo tha ky ushtrim është historik në shumë aspekte veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë, duke dëshmuar se uniteti dhe bashkëpunimi ynë janë çelës për një të ardhme më të sigurt e më paqësore. Objektivi kryesor i ‘Defender 23’ është që ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të Shteteve të Bashkuara dhe forcave aleate kundër agresorëve të mundshëm dhe për t’i siguruar aleatët dhe partnerët evropianë se kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme”, theksoi Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova radhitet e katërta sa i përket numrit të pjesëmarrësve në këtë ushtrim, gjë që tregon vullnetin për të ndryshuar sistemin e mbrojtjes nga FSK-ja.

Kurti siguroi se FSK-ja do të kenë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve në vazhdimësi.

“Siguria e kontinentit evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e do, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, paqen dhe demokracinë. ‘Defender Europe 2021’ ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqë në mënyrën më agresive e brutale synimet e saj të kamotshme për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. ‘Defender Europe 23’ po zhvillohet në një realitet të tensionuar 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë dhe si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejtë jo vetëm me të ardhmen e Evropës, por mbarë botës. Prandaj, përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme, është e domosdoshme”, theksoi Kurti.

Ministri i Mborjtjes, Armend Mehaj, tha se synimi i Kosovës është i qartë që “ushtria e Republikës së Kosovës është gati t’i bashkohet familjes së madhe të NATO-s” dhe se “ky ka qenë vizioni ynë që nga fillimi, angazhim, punë e përkushtim në secilën ditë”.

Mehaj tha se Kosova ka filluar tash e një vit e gjysmë me ngritje të kapaciteteve sipas standardeve të NATO-s.

“Destinacioni ynë është një dhe i vetëm, anëtarësimi në NATO. Prandaj do të jemi përmbushës të çdo obligimi që kërkohet për t’u bërë pjesë e Aleancës Veriatlantike”, theksoi Mehaj i cili shtoi se paqja është rruga e Kosovës.

Nga data 21 maj deri më 2 qershor, Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 23”, me ç’rast do të validohen kapacitetet e dy regjimenteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e po ashtu do të tregohet shkalla e ndërveprimit ushtarak, përkrah forcave të shteteve partnere.

Republika e Kosovës është gati të presë 25 shtete partnere me mbi 22.000 ushtarë që do të marrin pjesë në këtë stërvitje që do të mbahen në Babaj të Bokës së Gjakovës.

SHARE