ZYRTARË TË SHTETIT SHPREHIN NGUSHËLLIME ME RASTIN E VDEKJES SË ATIT TË SHENJTË, PAPA FRANÇESKUT

Foto: Glas Koncila

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në emër të qytetarëve të Malit të Zi dhe në emër të tij personal shprehu ngushëllimet e tij për Kishën Katolike Romake dhe besimtarët e besimit katolik në Mal të Zi dhe në mbarë botën me rastin e vdekjes së Papa Françeskut.

“Me pikëllim të madh mora lajmin për vdekjen e Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut. Pata nderin të bisedoj me të gjatë vizitës në Vatikan në mars 2024. Fryma e tij e paqes, mençurisë dhe përkushtimit të thellë ndaj dialogut dhe humanizmit më la një përshtypje të fortë”, ka shkruar Millatoviq në rrjetin X.

Ai shtoi se Papa Françesku ishte një udhëheqës shpirtëror që frymëzoi zemrat e besimtarëve në mbarë botën.

„Besimi, përulësia dhe lufta e tij e palodhshme për paqen, drejtësinë dhe dinjitetin e çdo njeriu do të lënë gjurmë të pashlyeshme”, tha Millatoviq.

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq me rastin e vdekjes së Papa Françeskut tha se ai do të mbahet mend si një zë i dhembshurisë dhe pastërtisë morale, duke theksuar se mesazhi i tij për paqe do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Ai shprehu ngushëllimet e tij për të gjithë besimtarët në Mal të Zi, si dhe për komunitetin katolik në mbarë botën.

“Papa Françesku do të mbahet mend si një zë i dhembshurisë dhe pastërtisë morale. Përkushtimi i tij i palëkundur ndaj të varfërve, të margjinalizuarve dhe atyre që vuajnë preku jetën e miliona njerëzve. Mesazhi i tij i paqes – dhe thirrja e tij për një botë që shëron, mbron dhe lartëson – do të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë”, tha kryeministri Spajiq.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, me rastin e ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, u ka dërguar ngushëllime të gjithë besimtarëve dhe adhuruesve të figurës dhe veprës së tij:

“Iku ai që gjithë jetën ua kushtoi të tjerëve. Ai që u dha shpresë të pashpresëve, pajtoi të papajtueshmen, ndihmoi më të rrezikuarit. Ati i Shenjtë ishte një shenjtor i gjallë që jetoi me modesti dhe që nuk e harroi kurrë njeriun e zakonshëm e të vogël. Ai dinte të kritikonte, dinte të gëzohej… Misioni i tij ishte paqja dhe uniteti në mbarë botën. Një nga dëshirat e tij ishte një festë unike e Pashkëve. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai shkoi këtë mëngjes për të na parë dhe mbrojtur nga një vend tjetër. Jam jashtëzakonisht i nderuar dhe i privilegjuar që pata mundësinë të shtrëngoj duart dhe të bisedoj me të në janar. Do të mbetet përgjithmonë në zemrat e njerëzve në mbarë planetin tonë”.

SHARE