VDES PAPA FRANÇESKU, KREU I PARË JEZUIT I KISHËS KATOLIKE

Papa Françesku. Foto nga Ashwin Vaswani/Unsplash

Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, ka vdekur më 21 prill në moshën 88-vjeçare.

“Të dashur vëllezër e motra, ju njoftojmë me pikëllim të thellë se Papa Françesku ka vdekur”, tha kardinali Kevin Farrell përmes një njoftimi në kanalin televiziv të Vatikanit.

“Në orën 7:34 mëngjesin e sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit”, tha ai.

Vdekja e Papa Françeskut jo vetëm që pason ngjarjen më të rëndësishme kalendarike për katolikët, por bie në vitin e veçantë jubilar, i cili vjen çdo 25 vjet.

Jubileu nisi kur Papa hapi Derën e Shenjtë të ndërtuar zakonisht me tulla në Bazilikën e Shën Pjetrit më 24 dhjetor dhe sheh miliona pelegrinë që zbresin në Vatikan për të kaluar nëpër derë dhe për të kërkuar falje për mëkatet e tyre.

Dhjetëra mijëra katolikë ishin mbledhur për meshën e Pashkëve në këtë vit të veçantë.

Mesazhi i Papa Françeskut të së dielës së Pashkëve ishte mesazh paqeje dhe “respekti për pikëpamjet e të tjerëve”.

Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan, dhe i pari i lindur jashtë Evropësn që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar.

Bergoglio, i biri i imigrantëve italianë, kishte punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958.

Ai ishte shuguruar si prift më 1969 dhe ishte bërë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën 1973-1979.

Më 1988, ai ishte emëruar peshkop i Buenos Airesit. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e kishte ngritur atë në Kolegjin e Kardinalëve.

I zgjedhur Papë më 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, ai e zgjodhi emrin Françesk, për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin e tij ndaj përulësisë dhe të varfërve.

Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor.

Më 2015, Papa Françesku publikoi enciklikën “Laudato si”, duke bërë thirrje për veprim global për t’i luftuar ndryshimet klimatike dhe për kujdes ndaj ambientit.

Ai i kushtoi rëndësi edhe dialogut ndërfetar, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, bashkë me imamin e Al-Azharit në Egjipt, Ahmed el-Tayebin, më 2019, një marrëveshje e rëndësishme për promovim të paqes dhe bashkekzistencës mes besimeve të ndryshme.

Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara.

Ai bëri përpjekje për të reformuar sistemin financiar të Vatikanit dhe për t’i adresuar abuzimet seksuale të klerikëve brenda institucionit të Kishës.

Më 2025, ai publikoi autobiografinë “Shpresa”, duke ofruar më shumë hollësi për jetën e tij dhe misionin.

Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.

Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar, dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.

SHARE