Foto: Ilustrim
Dispozita ligjore që lejon të miturit mbi 16 vjeç të martohen me pëlqimin e prindërve është një dështim sistematik dhe hapësirë për abuzime, e cila duhet të hiqet urgjentisht, thanë nga Klubi i Gruas së Kuvendit të Malit të Zi.
Ata njoftuan se do të bëjnë përpjekje maksimale për përmirësimin e kuadrit ligjor.
Mbledhja e mëparshme e Klubit të Grave të Kuvendit njoftoi në vitin 2022 se do të iniciojnë ndryshime në legjislacion që formalisht do të pamundësojnë martesën e të miturve.
Nënkryetarja e Kuvendit dhe bashkëkryesuesja e Klubit të Grave të Parlamentit të Malit të Zi, Zdenka Popoviq, tha për Agjencinë MINA se kjo iniciativë është jashtëzakonisht pozitive dhe se ajo e konsideron një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, veçanërisht të vajzave.
Shefi i zyrës përfaqësuese të UNICEF-it në Mal të Zi, Mikele Servadei, tha se organizata e mirëpret iniciativën e Klubit të Grave të Kuvendit për ndryshimin e ligjit dhe për të përcaktuar qartë se asnjë fëmijë nën moshën 18 vjeçare nuk mund të martohet.
“Ajo iniciativë është në përputhje me rekomandimet e dy komiteteve të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara – Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve (nga viti 2018) dhe Komitetit për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (nga viti i kaluar),” tha Servadei për Agjencinë MINA.
Ministria e Drejtësisë tha për Agjencinë MINA se mirëpresin të gjitha qëllimet dhe iniciativat e mira që synojnë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe përmirësimin e kornizës ligjore në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Megjithatë, siç thanë ata, çdo ndryshim legjislativ duhet të shqyrtohet me kujdes, duke analizuar ndikimin e tij ligjor, social dhe kulturor.