Indeksi i lehtësisë së të bërit biznes në Mal të Zi vitin e kaluar ishte 6.7, që është 0.3 pikë më pak se në vitin 2021, duke ilustruar disa shqetësime të investitorëve të huaj në lidhje me klimën e investimeve, njoftoi Këshilli i Investitorëve të Huaj.
Kryetari i Këshillit të Investitorëve të Huaj, Tamas Kamarashi, vlerësoi se rënia e indeksit është rezultat i barrierave të njohura nga investitorët e huaj, në radhë të parë jostabilitetit dhe paparashikueshmërisë së ambientit të biznesit.
Në prezantimin e sotëm të Librit të Bardhë – Klima e Investimeve në Malin e Zi 2022, ai tha se u njoh nevoja për forcimin e sundimit të ligjit, rregullimin adekuat të tregut të punës, shtypjen e ekonomisë gri dhe arritjen e një shkalle më të madhe të digjitalizimit.
“Mali i Zi ka nevojë për investitorë të besueshëm që krijojnë vende të reja pune, sjellin praktikat më të mira, bashkëpunojnë me komunitetet dhe paguajnë taksat siç duhet. Me krenari mund të them se në Këshillin e Investitorëve të Huaj të gjithë anëtarët tanë udhëhiqen nga këto parime”, ka thënë Kamarashi.
“Kam kënaqësinë të di se zhvillime pozitive në indeks janë arritur pikërisht në fushat kyçe – turizëm dhe energji, dhe vetëm me sinergjinë e përfaqësuesve të ekonomisë dhe shtetit është e mundur të formohet dhe të mbahet një mjedis i qëndrueshëm dhe tërheqës biznesi, në dobi të përgjithshme të gjithë shoqërisë”, tha ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq gjatë prezantimit të edicionit të dymbëdhjetë të “Librit të Bardhë”.
Përveç Kamarashi dhe Damjanoviq në prezantim folën Goran Gjuroviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit ndërsa Arijana Nikoliq Vuçiniq prezantoi përmbajtjen e “Librit të Bardhë”.