ZELENSKY THEKSON NEVOJËN PËR MARRËVESHJE TË FORTA ME SHBA-në, PAS TAKIMIT ME EMISARIN AMERIKAN

Foto: BalkanWeb

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar pozitive bisedën me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, më 20 shkurt, pavarësisht paraqitjes së një shenje tjetër tensioni, kur u anulua një konferencë e planifikuar e përbashkët për media.

Zelensky tha në adresimin e tij të mbrëmjes se takimi me Kelloggun “riktheu shpresën”, dhe përsëriti se Ukrainës i nevojiten marrëveshje të forta me SHBA-në.

“Kam dhënë instruksione për të punuar shpejt dhe shumë arsyeshëm. Ekonomia dhe siguria janë të ndërlidhura, dhe hollësitë e marrëveshjes kanë rëndësi – sa më të mirë ta kenë strukturën, aq më të mëdha do të jenë rezultatet”, u shpreh Zelensky.

Ai dhe Kellogg diskutuan për situatën në vijën e frontit, për nevojën për lirimin e të gjithë të burgosurve ukrainas të mbajtur në Rusi, dhe për nevojën për një sistem të besueshëm dhe të qartë të garancive të sigurisë, të cilat sigurojnë që lufta “nuk do të kthehet kurrë dhe që rusët kurrë më nuk do të shkatërrojnë jetë”.

Takimi, i cili përfundoi pa konferencën e planifikuar të përbashkët dhe pa deklaratë nga Kellogg, u zhvillua në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, po bën shtytje për një marrëveshje të shpejtë për t’i dhënë fund luftës.

Trump alarmoi aleatët evropianë dhe Ukrainën, duke i lënë ata jashtë bisedimeve fillestare me Rusinë, të cilat u zhvilluan në Arabinë Saudite, më 18 shkurt.

Ai sulmoi një ditë më pas presidentin ukrainas, duke sugjeruar se ai e kishte nisur luftën, dhe duke e quajtur atë “diktator”.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, më 20 shkurt u mundua të kthejë fokusin te një marrëveshje e mundshme, ku do të përfshiheshin depozitat e mineraleve të rralla të Ukrainës.

“Ai duhet të kthehet në tavolinë”, tha Waltz në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, duke nxitur Zelenskyn të arrijë shpejt një marrëveshje që do t’i jepte SHBA-së qasje në mineralet, të cilat janë kritike për prodhimin e pajisjeve të teknologjisë së lartë dhe të baterive për automjetet elektrike.

Zelensky më herët e ka hedhur poshtë një propozim që gjoja do t’i jepte SHBA-së minerale në vlerë prej 500 miliardë dollarëve, si pjesë e pagesës për mbështetjen ushtarake dhe financiare amerikane për mbrojtjen e Kievit kundër pushtimit në shkallë të gjerë që Rusia e nisi në shkurtin e 2022-tës.

Zelensky ka theksuar se vlera e ndihmave amerikane është dukshëm me vogël dhe se propozimi amerikan nuk ka ofruar garanci konkrete të sigurisë.

SHARE