Foto: ABC News
Parlamenti Evropian (PE) njeh angazhimin e fortë të Malit të Zi për pranimin në BE dhe konfirmon mbështetjen e tij të plotë për anëtarësimin e ardhshëm të vendit në BE, sipas draft-raportit të PE për Malin e Zi, nga raportuesi Marjan Sharec.
Dokumenti njeh rolin kyç të Parlamentit të Malit të Zi në procesin e pranimit. Megjithatë, bojkotet dhe bllokadat politike, si dhe rishfaqja e tensioneve dhe polarizimi etnik, vihen re me shqetësim.
Në draft raportin e tij, Parlamenti mirëpret përparimin pozitiv të Malit të Zi në zbatimin e reformave dhe masave të lidhura me BE-në, të mbështetur nga një kornizë kohore ambicioze dhe përpjekjet kolektive të aktorëve politikë, shoqërisë civile dhe qytetarëve, por gjithashtu vlerëson Malin e Zi për përmbushjen e standardeve të përkohshme për kapitujt 23 dhe 24 dhe për marrjen e një IBAR pozitiv.
Gjithashtu u mirëprit edhe mbyllja e tre kapitujve të tjerë të negociatave, duke e çuar numrin total në gjashtë.
Nga ana tjetër, eurodeputetët inkurajojnë të gjithë aktorët politikë që të qëndrojnë të fokusuar në integrimin në BE dhe reformat e nevojshme, duke theksuar nevojën për stabilitet politik, përkushtim dhe angazhim konstruktiv që i kapërcen linjat partiake për të shkuar drejt mbylljes së kapitujve shtesë.
Theksohet se reformat e miratuara duhet të zbatohen në mënyrë efektive për të siguruar progres real.
Draft-raporti i Parlamentit Evropian mirëpret përafrimin e vazhdueshëm dhe të plotë të Malit të Zi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, përfshirë ato që lidhen me luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës.
Mali i Zi inkurajohet të forcojë zbatimin e masave kufizuese dhe të shmangë anashkalimin e tyre.
Parlamenti përgëzon Malin e Zi për mbështetjen e tij humanitare dhe materiale për Ukrainën dhe rikujton se Mali i Zi pret një numër të madh refugjatësh ukrainas.
Megjithatë, shqetësime serioze janë shprehur për ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përpjekjet për destabilizimin, kërcënimet hibride dhe fushatat dezinformuese nga aktorët e vendeve të treta.
Prandaj, PE i bën thirrje Malit të Zi të miratojë kundërmasa në bashkëpunim me BE-në dhe NATO-n, ndërsa BE-ja dhe autoritetet në Mal të Zi të forcojnë komunikimin strategjik me qytetarët e Malit të Zi për përfitimet e procesit të zgjerimit dhe anëtarësimit në BE.