EURODEPUTETËT KËRKOJNË QË KOSOVA TË MOS MBETET ZONË GRI NË INTEGRIMIN EVROPIAN

Foto: ABC News

Shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian që morën pjesë në diskutimet rreth draft-raporteve për Kosovën dhe Serbinë, kërkuan që Bashkimi Evropian ta qartësojë procesin e integrimit të Kosovës, në mënyrë që ky vend të mos mbetet një zonë gri në hartën e Evropës.

Të enjten, në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, paraqiti draft-raportin e tij vjetor për situatën në Kosovë dhe përparimin e saj drejt BE-së. Gjatë debatit u shpreh pritja që Kosova ta konstituojë sa më shpejt Kuvendin, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 Shkurtit, dhe ta formojë Qeverinë.

Ndërsa u kritikua mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, prej saj u kërkua që ta mbajë fokusin në rajon, sidomos në Kosovë, në kohën e, siç u tha, rrethanave sfiduese në Evropë dhe në botë.

Raportuesi Terras tha se pret që BE-ja të marrë rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe që Komisioni i ri Evropian dhe përfaqësuesja e lartë e tij, Kaja Kallas, të jenë në krye të këtij angazhimi. Ai tha se BE-ja duhet t’i heqë masat ndaj Kosovës – që u ndërmorën në vitin 2023, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe – sepse ato, sipas tij, nuk janë korrekte.

Terras kërkoi që edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit të Kosovës në BE. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidate për anëtarësim në këtë bllok. Raportuesi në hije nga Grupi Socialist dhe Demokrat, Elio Di Rupo, i cili ishte edhe vëzhgues i zgjedhje në Kosovë, tha se procesi ishte i një cilësie të lartë, me standarde të larta.

Ai tha se mediat në Kosovë janë duke u përballur me sfida dhe se duhet të ketë më shumë përparim edhe në luftën kundër korrupsionit. Di Rupo tha se raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë të vështira për shkaqe historike. Ai tha se Kurti ishte i burgosur nga regjimi i Serbisë, por shtoi se kjo duhet të tejkalohet, në mënyrë që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre të ecë përpara.

SHARE