Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, i cili po qëndron në Mal të Zi, janë shprehur të kënaqur me marrëveshjen e arritur për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kanë thënë se është e nevojshme për të bërë një përpjekje shtesë për të zgjedhur gjyqtarin e katërt. Siç njoftoi Qeveria e Malit të Zi, Abazoviq dhe Saracin ranë dakord se një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është e nevojshme për funksionimin normal të institucioneve dhe përparimin e mëtejshëm në integrimin evropian të Malit të Zi. “Në këtë kontekst, Abazoviq dhe Saracin shprehën kënaqësinë e tyre për marrëveshjen e arritur dhe shprehën pritjen se marrëveshja do të respektohet plotësisht, si dhe se është e nevojshme të bëhet një përpjekje shtesë për zgjedhjen e një gjyqtari të katërt, i cili do të kompletonte Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në deklaratën pas takimit.
Po ashtu, kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, ështëtakuar sot me të dërguarin special të Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin. Gjuroviq shprehu kënaqësinë e saj për takimin e ri me z. Saracin dhe theksoi se angazhimi i tij tregon më së miri interesimin e RF të Gjermanisë për situatën në Mal të Zi dhe dëshirën që vendi ynë të arrijë sa më shpejt stabilitetin politik dhe funksionalitetin institucional. Saracin shprehu pritshmërinë e Republikës Federale të Gjermanisë, por edhe të Bashkimit Evropian, që të katër gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen më 27 shkurt dhe vuri në dukje se kjo është e vetmja mënyrë për të zhbllokuar përfundimisht këtë institucion të rëndësishëm dhe për të bërë funksional siç duhet.Ai ka shprehur interesim edhe për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për 19 mars të këtij viti dhe ka theksuar rëndësinë e sigurimit të rregullsisë së tyre.