SHQIPËRI, MBAHET AKTIVITETI PËR 105-VJETORIN E PARLAMENTARIZMIT SHQIPTAR

Foto: Olsi Shehu / AA

Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar aktivitetin me temë “Parlamentarizmi, Republika dhe Demokracia”, në kuadër të 105-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, raporton Anadolu.

Në hapje të aktivitetit, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, u shpreh se me formimin e Këshillit Kombëtar si parlamenti i parë shqiptar dhe afirmimit të parimeve të parlamentarizmit u vendosën bazat e një institucioni përfaqësues, që sipas saj do të përfaqësonte interesat e kombit.

“Kongresi i Lushnjës i cili zhvilloi punimet më 21-31 janar 1920 shënoi një moment historik për popullin shqiptar, sepse hodhi hapat e parë drejt një shteti të organizuar. Parlamentarizmi kurorëzoi dhe jetësoi përpjekjet e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të bazuar në drejtësi, liri dhe barazi. Parlamentarizmi ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e institucioneve, konsolidimin e parimeve, vlerave dhe standardeve demokratike”, u shpreh Spiropali.

Ajo theksoi se 105-vjetori i parlamentit shqiptar është një mesazh për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat dhe kontributin në konsolidimin e institucioneve dhe vlerave demokratike.

Kryeparlamentarja Spiropali shtoi se Kuvendi i Shqipërisë është një institucion që përfaqëson vullnetin e popullit dhe një shtyllë e rëndësishme e sistemit demokratik.

Pjesë e aktivitetit të mbajtur në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë ishin ish-kryetarë të Kuvendit, deputetë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe studiues.

Gjatë aktivitet u ekspozuan fotografi të ndryshme në lidhje me historikun e parlamentarizmit shqiptar.

Fillimet e parlamentarizmit shqiptar janë që nga Kongresi i Lushnjës, që i zhvilloi punimet nga data 21 deri më 31 janar të vitit 1920.

Parlamenti i parë shqiptar daton që nga 27 mars 1920 – 20 dhjetor 1920, kur funksionoi Këshilli Kombëtar.

SHARE