Për kryerjen e detyrave nga misioni i saj i tretë, që kanë të bëjnë me ndihmën ndaj institucioneve civile dhe qytetarëve në rast nevoje, Ushtria e Malit të Zi ka ndarë burime dhe forca të caktuara që mund të aktivizohen në çdo kohë, tha ministri i Punëve të Brendshme, njëkohësisht koordinator i punës së Ministrisë së Mbrojtjes Filip Axhiq. Ai ka vizituar komunat në veri të Malit të Zi që janë prekur nga stuhitë e forta dhe përmbytjet. “Për të ndihmuar popullatën civile të prekur nga fatkeqësitë aktuale të motit dhe përmbytjet, janë caktuar 150 pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi, me burime dhe pajisje, një ekip mjekësor, makineri inxhinierike, si dhe helikopterë transportues Bell 412 EPI dhe Bell 505. Forcat janë të vendosura në Danillovgrad, Nikshiq, Pljevle, Podgoricë, Kollasin dhe Tivar. Në rast të përkeqësimit të kushteve të motit dhe situatës në terren, numri i pjesëtarëve në gatishmëri të Forcave të Armatosura Kroate mund të rritet”, theksoi Axhiq.
Anëtarët e shërbimeve lokale dhe shtetërore po bëjnë gjithçka për të ndihmuar qytetarët dhe për të parandaluar pasojat, tha ministri, duke falënderuar të gjithë ata që kontribuan me përpjekjet e tyre të mëdha për përmirësimin e dukshëm të situatës. Ai po ashtu tha se qytetarët e zonave të përmbytura mund të llogarisin në ndihmën e Qeverisë për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia. “Pikërisht situata të tilla tregojnë se sa i rëndësishëm është investimi i vazhdueshëm në sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit, sepse vetëm me forcimin e personelit dhe kapaciteteve materiale mund të ofrojmë një përgjigje në kohë për të mbrojtur qytetarët dhe të mirat materiale”, përfundoi Axhiq.