Foto: Reuters
Të paktën dy njerëz janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur mëngjesin e së premtes në një valë të madhe bombardimesh ruse në kryeqytetin e Ukrainës dhe në rajonin jugor Herson.
Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë.
Rusia i hodhi tetë raketa – përfshirë raketa hipersonike Kinzhal dhe raketa balistike Iskander/KN-23 – vetëm në Kiev, tha kryetari i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.
Qytetet ukrainase janë duke u përballur me sulme të vazhdueshme raketore dhe me dronë, ndërsa forcat ukrainase, të pakta në numër dhe armë, po hasin në vështirësi për ta frenuar përparimin e shpejtë të ushtrisë ruse në lindje të vendit.
Një person u vra nga një sulm në qarkun Holosiv të Kievit. Disa shpërthime u dëgjuan në kryeqytet, sipas dëshmitarëve.
“Armiku ndoshta përdori raketa aerobalistike Kinzhal dhe raketa balistike Iskander/KN-23”, tha Serhiy Popko, duke shtuar se një tubacion gazi u dëmtua gjatë sulmit.
Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, raportoi se copëza nga dronët e rrëzuar rusë ranë në katër distrikte të kryeqytetit, Holosiv, Solomiansk, Shevçenkivsk dhe Dniprovsk, duke plagosur të paktën dy persona.
Në Herson, një burrë 60-vjeçar u vra nga një sulm rus, dhe dy të tjerë, përfshirë një burrë 86-vjeçar, u plagosën, raportoi guvernatori rajonal Roman Mrochko.
Të enjten, një raketë ruse goditi dhe dëmtoi rëndë një ndërtesë dykatëshe banimi në qytetin juglindor Kriv Rih, qyteti i lindjes së presidentit Volodymyr Zelensky, duke plagosur pesë persona, përfshirë dy që u nxorën të gjallë nga rrënojat, thanë zyrtarët.
Sulmi gjithashtu la pa furnizim me rrymë disa pjesë të qytetit me 600.000 banorë dhe dëmtoi një spital, tha guvernatori rajonal Serhiy Lysak.
Bombardimet e së premtes pasuan deklaratën e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili sugjeroi të enjten një “duel të teknologjisë së lartë” mbi Kievin për të dëshmuar se raketa e re hipersonike balistike e Rusisë, e quajtur Oreshnik, nuk mund të shkatërrohet nga mbrojtjet ajrore të furnizuara nga Perëndimi.
“Do të ishte interesante për ne… Le ta zhvillojmë këtë eksperiment, këtë duel teknologjik, dhe të shohim rezultatet. Mendoj se do të ishte i dobishëm si për ne, ashtu edhe për amerikanët”, tha Putin.
Si reagim, Zelensky postoi një mesazh në X, duke e quajtur Putinin “idiot”.
“Njerëzit po vdesin dhe ai mendon se është ‘interesante’… Idiot”, shkroi Zelenskiy.