OSMANI: LIDHJA E KOSOVËS ME SHQIPËRINË ËSHTË NJË THEMEL I PATHYESHËM

Foto: Zyra e Kryeministrit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se lidhja e Kosovës me Shqipërinë është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtohet bashkëpunimi më i madh dhe koordinim më i shpeshtë, raporton Anadolu.

Osmani në fjalën e saj në seancën ku u mblodhën deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ata të Kuvendit të Shqipërisë, për herë të parë në një seancë të përbashkët në Prishtinë, theksoi se duhet unifikim i politikës së jashtme Kosovë-Shqipëri.

Osmani theksoi se kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim.

“Kjo lidhje nuk është thjeshtë simbolike. Është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjese të pandashme të një kombi të madh. Të bashkuar nga një histori të lavdishme dhe një e ardhme e ndritur, e cila po ndërtohet dita-ditës”, theksoi Osmani.

Presidentja kosovare tutje tha se autoritetet e të dyja vendeve duhet ta ngrenë zërin më shumë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre në Maqedoninë e Veriut.

Sipas saj, për t’i tejkaluar pengesat me të cilat Kosova përballet, vendit i duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka nisur fjalimin e tij para deputetëve të dy kuvendeve me përmendjen e sulmeve terroriste në veriun e vendit nga elemente të cilat lidhen me Serbinë, atë të vitit 2023 në Banjska dhe atë në kanalin e Ibër-Lepencit sivjet.

“Kjo seancë duhet të shihet si dëshmi se Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit i cili për ne është i përbashkët”, theksoi Konjufca.

Konjufca e ka falënderuar Qeverinë e Shqipërisë që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, përmendi të arriturat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se “jemi të vetëdijshëm që nuk na lejohet mburrja për arritjet dhe kemi shumë punë për të bërë”.

Sipas Kurtit, shqiptarët nën Serbi, ata në Luginën e Preshevës, janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Evropë, prandaj siç tha ai, ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kurti tha se qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë obligim jo vetëm ndaj qytetarëve të të dyja shteteve, por edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi dhe sidomos ata në Serbi.

Ai tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm, Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për Luginën e Preshevës dhe shtoi se uron që kjo të shërbejë si një “shembull edhe për Shqipërinë”.

“Kemi shumë punë për të bërë si Qeveri, si Kuvende dhe si administrata publike për të lehtësuar bashkëpunimet e natyrshme midis qytetarëve të dy Republikave tona. Sepse, siç e ka thënë poeti dhe prozatori ynë i mirënjohur, Primo Shllaku, kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është si kufiri ndërmjet dy barkusheve të zemrës”, theksoi Kurti.

Seanca, që filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror të Kosovës, u parapri nga një takim i përbashkët i kryeparlamentarit Konjufca me homologen e tij shqiptare, Elisa Spiropali Spiropali, si dhe dy kryeministrat Kurti dhe Edi Rama.

SHARE