Foto: Zyra e Kryeministrit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në emër të qeverive respektive kanë nënshkruar Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, raporton Anadolu.
Marrëveshja e nënshkruar nga dy kryeministrat Kurti dhe Rama në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, do të mundësojë organizimin e sportit të lundrimit në qytetin e Durrësit në Shqipëri, njëherësh zyrtarizon Durrësin si një nga qytetet mikpritëse të Lojërave Mesdhetare 2030.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do jenë ngjarja më e madhe sportive në histori të vendit, që përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive kurse përmes mikpritjes në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.
Më 21 nëntor të këtij viti, Kosova finalizoi projektligjin me të cilin do të rregullohen përgatitjet adekuate për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Sipas këtij projektligji, Komiteti Organizativ do të udhëheqë me projektin më të madh sportiv në historinë e Kosovës. Ai do të përbëhet nga ministra të Qeverisë, përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, nën udhëheqjen e Kryeministrit Kurti në cilësinë e kryesuesit të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.