Foto: AA
Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh se bashkëpunimi më i ngushtë midis Evropës dhe SHBA-së është i nevojshëm për të siguruar paqen në Ukrainën e goditur nga lufta, raporton Anadolu.
“Ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë midis SHBA-së dhe Evropës, midis SHBA-së dhe Gjermanisë, në mbështetjen e Ukrainës, në mënyrë që të hapim perspektiva për një paqe të drejtë, një Ukrainë sovrane në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe në mënyrë që të mund të sigurojmë gjithashtu që vrasja të ndalojë”, tha Scholz në një konferencë të përbashkët për media me kryeministren estoneze Kristen Michal.
“Mbrojtja e pavarësisë dhe sovranitetit të Ukrainës mbetet sfida qendrore në të ardhmen”, shtoi ai.
Scholz përsëriti se vetëm Ukraina mund të vendosë kushtet për një marrëveshje paqeje.
“Siç e dini, unë kam një parim të qartë që e mbrojta sërish dje (gjatë telefonatës me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump): Nuk duhet të merret asnjë vendim në kurriz të ukrainasve. Kjo nënkupton që askush nuk negocion për Ukrainën përveç Ukrainës”, shtoi ai.
Dje, Scholz zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për të diskutuar sigurinë evropiane dhe Ukrainën.
Në një deklaratë në lidhje me bisedën telefonike, Steffen Hebestreit, zëdhënësi i qeverisë gjermane, tha: “Fokusi i bisedës ishte në sfidat e politikës së sigurisë në Evropë”.
Scholz përsëriti angazhimin e Gjermanisë për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër luftës ruse.