Foto: AP
Bashkimi Evropian (BE) ka caktuar një delegacion për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të planifikuara të mbahen më 9 shkurt 2025 në Kosovë, transmeton Anadolu.
Në njoftimin e bërë nga zyra e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, Kaja Kallas, bëhet e ditur se me ftesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është caktuar një delegacioni vëzhgues për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryevëzhguese e delegacionit është emëruar anëtarja e Parlamentit Evropian, Nathalie Loiseau, ndërkaq thuhet se qëllimi i misionit është të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent që u mundëson votuesve të shprehin qartë preferencat e tyre.
“Zgjedhja e ardhshme parlamentare do të jenë të para që do të zhvillohen sipas një ligji të ri zgjedhor që merr parasysh propozimet tona të mëparshme. Mezi pres të angazhohem me zyrtarë, parti politike, kandidatë, shoqëri civile dhe palë të tjera të interesuara në zgjedhje në Kosovë”, ka theksuar Loiseau.
Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, i cili mori detyrën me votëbesimin e Kuvendit më 22 mars 2021, do të jetë qeveria e parë që do të përfundojë mandatin e saj 4-vjeçar që nga pavarësia e Kosovës, nëse do të qëndrojë në detyrë deri në datën e zgjedhjeve.