Foto: Reuters
BE-ja është e shqetësuar për vendimin e Parlamentit të Malit të Zi për ndërprerjen e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
I pyetur nga TVMZ për zhvillimet e fundit në Parlamentin e Malit të Zi, Mercier tha se respektimi i Kushtetutës është thelbësor për përparimin e vendit drejt BE-së.
“I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të respektojnë sundimin e ligjit dhe të respektojnë Kushtetutën. Kjo është vendimtare për rrugën e Malit të Zi në BE,” tha Mercier.
Ai thekson se Kushtetuta e Malit të Zi përcakton se i takon Gjykatës Kushtetuese që të vendosë për ndërprerjen e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të përmbushjes së kritereve për pension dhe për këtë ta informojë Kuvendin.
“BE përsërit se Mali i Zi duhet të ndryshojë kuadrin ligjor aktual për të futur një rregullore specifike mbi kriteret për pensionimin e gjyqtarëve, e cila duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet ekzistuese të Komisionit të Venecias,” theksoi Mercier.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian shtoi se të gjitha autoritetet dhe liderët politikë duhet të sigurojnë funksionalitetin e plotë të Gjykatës Kushtetuese “si garanci thelbësore për sundimin e ligjit dhe stabilitetin demokratik, duke përfshirë sigurimin e emërimeve në kohë të bazuara në merita, transparencë dhe dispozita ligjore.”