Foto: Ilustrim
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë të enjten mbrëma, e cila i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ta japë një opinion ligjor për detyrimet humanitare të Izraelit në Rripin e Gazës.
Rezoluta, e thirrur nga Norvegjia, i mori 137 vota pro, 12 kundër dhe 22 abstenime.
“Është e papranueshme që Izraeli ta bllokojë ndihmën humanitare për palestinezët që jetojnë nën okupim”, tha kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store.
Duke e penguar ndihmën e nevojshme, Izraeli po “e minon paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”, shtoi ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide.
“Asnjë vend nuk është mbi ligjin. Izraeli nuk ka të drejtë t’i përjashtojë organizatat e OKB-së nga territori palestinez që është duke e okupuar jashtëligjshëm”, tha Edie.
Kërkesa për opinion ligjor do t’i dorëzohet tani Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Rezolutat e OKB-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por ato pasqyrojnë qëndrim ndërkombëtar.
Gaza është rrënuar si pasojë e luftës tokësore dhe ajrore të Izraelit gjatë një viti, e cila, sipas Izraelit, ka për qëllim çrrënjosjen e militantëve të Hamasit.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Në tetor, Parlamenti i Izraelit ia ndaloi veprimtarinë agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezët (UNRWA), duke thënë se disa punonjës të UNRWA-s kishin lidhje me Hamasin.