Në buxhetin e Komunës së Tuzit për vitin 2022, për herë të parë, sivjet janë përcaktuar mjetet për mbështetjen e sipërmarrjes së grave në vlerë të përgjithshme prej 30,000.00€. Mjetet për planet e biznesit ndahen në bazë të konkursit publik të shpallur nga Komisioni për ndarjen e mjeteve për mbështetjen e sipërmarrjes së grave.
Nisur nga kjo, sot, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, bëri nënshkrimin e kontratave me gratë sipërmarrëse të cilat i përmbushnin kriteret, në bazë të Konkursit publik.
Në takim, ku të pranishëm ishin edhe nënkryetari i Komunës, Haris Ramoviq dhe sekretari i Sekretariatit për Zhvillim Ekonomik, Shefko Kurpejoviq, fitueset e konkursit falënderuan Komunën, e veçanërisht kryetarin Gjeloshaj për idenë ta mbështetë biznesin, në krye të së cilave janë gratë, duke shtuar se ky gjest i motivon ato që të punojnë edhe më shumë në të ardhmen dhe të bëhen shembull për gratë tjera.
Gjeloshaj, në anën tjetër, uroi fitueset dhe premtoi se Komuna e Tuzit përherë do të jetë krah tyre e në vitet që vijnë me përkrahje më të madhe. Ai gjithashtu sugjeroi gratë sipërmarrëse të Komunës së Tuzit të formojnë organizatën e vetë, përmes së cilës ato do të mund të konkurronin edhe në projekte të tjera, të cilët do të favorizonin bizneset e tyre.