Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, sipas Kushtetutës nuk ka mundësi të shpërndajë Parlamentin, tha kryeministri Dritan Abazoviq. Në konferencën për media, Abazoviq, i pyetur për të komentuar njoftimet jozyrtare se Gjukanoviq mund të shpërndajë Parlamentin, tha se një gjë e tillë nuk ekziston në Kushtetutë. “Kushtetuta është shumë e qartë dhe ai (Gjukanoviq), sipas Kushtetutës, nuk e ka atë mundësi. Do ta kishte nëse do t’ia kishte dhënë mandatin (liderit të Demos, Miodrag) Lekiqit në shtator dhe Lekiqit t’i kishte skaduar afati 90 ditë”, tha Abazoviq. Sipas tij, në atë kohë, logjikisht do të ishte momenti i duhur që Gjukanoviq do të sillte një dekret për të bërë dhe caktuar zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.Ai tha se nuk e di se për çfarë do të referohet Gjukanoviq, duke qenë se nuk i ka dhënë mandat Lekiqit. “Ka mundësi që të shkelin ligjin. Nuk mendoj se është mirë, por le të presim. Sipas meje, Kushtetuta është e qartë dhe kjo mundësi nuk ekziston në këtë situatë”, tha Abazoviq. Kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviq ka shtyrë debatin për mocionin për fillimin e procedurës për të përcaktuar nëse Presidenti i Malit të Zi ka shkelur Kushtetutën në seancën e sotme të Kuvendit të Malit të Zi. Si arsye ajo ka deklaruar se propozuesi nuk ka mundur të marrë pjesë në seancë. „Nisur nga pamundësia që propozuesi të marrë pjesë sot, pikën 23 po e shtyjmë për diskutim në një ditë tjetër”, tha ajo.