DAMJANOVIQ: BUXHETI I QËNDRUESHËM DHE REAL

Buxheti për vitin e ardhshëm është i qëndrueshëm, i bazuar realisht dhe në funksion të rivitalizimit të ekonomisë dhe ruajtjes së nivelit të standardit jetësor të punëtorëve, pensionistëve dhe kategorive të tjera, tha ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq. Ai në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, i cili sot filloi debatin për Projektligjin për buxhetin për vitin e ardhshëm, tha se buxheti është shprehje e gjendjes aktuale ekonomike dhe financiare në vend. “Ky është një propozim që ka llogaritur me kujdes dhe me përgjegjësi të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që do të ndikojnë në financat publike gjatë vitit të ardhshëm”, tha Damjanoviq në prezantimin e tij hyrës. Ai tha se mund të jetë buxheti me përqindjen më të lartë të shpenzimeve të detyrueshme ndonjëherë. Sipas tij, është planifikuar edhe rritje e buxhetit kapital, nëse përjashtohet projekti i autostradës, e cila për sa i përket seksionit prioritar ka përfunduar. “Në lidhje me të ardhurat jemi munduar t’i planifikojmë në mënyrë konservative. Është planifikuar një rritje ekonomike prej katër për qind dhe ne e konsiderojmë atë si planifikim konservator”, ka thënë Damjanoviq. Deficiti parashikohet të jetë 5.9 për qind. Damjanoviq ka paralajmëruar gjithashtu se niveli i depozitave do të jetë më i lartë se sa ishte parashikuar, që do të thotë se fondet që mungojnë do të jenë më të ulëta. Damjanoviq bëri të ditur se buxheti është një përpjekje për të krijuar kushte për ruajtjen e standardit jetësor të qytetarëve në vitet e ardhshme, të pasigurta dhe në masën e mundshme, për të rritur pagat dhe pensionet, në mënyrë që në vitin 2024 dhe 2025 të kemi konsolidim të plotë.

SHARE