Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur 28 dhjetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Këtë vendim të cilën presidentja Osmani e njoftoi nëpërmjet një konference për media, e mori pas takimit me krerë të partive politike ku bëri përpjekje për unifikim politik në mënyrë që të votoheshin në Kuvend disa urgjenca kombëtare përfshirë Buxhetin e vendit për vitin 2026.
Osmani tha se krerët e partive politike patën kryesisht dy propozime për datën e zgjedhjeve, 21 dhe 28 dhjetorin, por ajo vendosi për 28 dhjetorin për shkak të përgatitjeve që i duhen Komisionit Qendror të Kosovës (KQZ) si dhe mundësisë që në këtë datë pjesëmarrja qytetare në votime të jetë më e madhe.
“Edhe njëherë, është fat i keq për Kosovën dhe qytetarët që sërish po detyrohemi të shkojmë në zgjedhje, megjithatë ky ishte vullneti i partive politike të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ju uroj suksese në këtë proces me shpresë që menjëherë pas zgjedhje dhe pa asnjë zvarritje të vetme do të kemi konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë së re”, tha Osmani.
E pyetur se nëse Osmani synon edhe një mandat në pozitën e presidentes, Osmani tha se ajo do të jetë duke kontribuar për shtetin por nuk përmendi pozitë konkrete.
“Të shohim se cila do të jetë përbërja e Kuvendit të ardhshëm pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ajo do të qartësojë gjithçka, por po e përmend se do të jem duke shërbyer në institucionet e Republikës së Kosovës, duke shërbyer aty ku besoj mund t’i ndihmoj vendit tim më së miri. Këtë do ta përcaktojnë qytetarët”, tha Osmani.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani skadon në prill të vitit të ardhshëm dhe për emërimin e presidentit të ri duhen 2/3 e votave të Kuvendit të Kosovës.
Osmani tha se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit mund të shkohet deri në fund të muajit shkurt me procedura deri tek formimi i Kuvendit të Kosovës dhe emërimi i qeverisë së re.









