MALI I ZI NIS FUTJEN SISTEMATIKE TË SHËRBIMEVE LOGOPEDIKE-DEFEKTOLOGJIKE NË SISTEMIN PUBLIK SHËNDETËSOR

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar një informacion dhe ka marrë vendimin që për herë të parë të nisë futjen sistematike të shërbimeve logopedike-defektologjike në sistemin publik shëndetësor.

Për shkak të mungesës së këtyre shërbimeve në vend, fëmijët prej vitesh janë dërguar jashtë shtetit, gjë që ka sjellë kosto të larta për familjet dhe Fondin e Sigurimit Shëndetësor, i cili shpenzon mbi 1.6 milionë euro në vit.

Me vendimin e sotëm, Fondi i Sigurimit Shëndetësor është ngarkuar të formojë një grup pune që do të përcaktojë kriteret për ofruesit e këtyre shërbimeve dhe të shpallë thirrje publike për angazhimin e subjekteve profesionale në Mal të Zi.

Kjo pritet të mundësojë ofrimin e trajtimeve brenda vendit, qasje më të lehtë për fëmijët dhe përdorim më efikas të mjeteve financiare.

Ministri i Shëndetësisë, dr. Vojisllav Shimun, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për fëmijët me çrregullime neurozhvillimore, duke u shprehur se është detyrim i shtetit të sigurojë që çdo fëmijë të marrë trajtimin e nevojshëm në kohë, cilësor dhe në ambientin e tij.

SHARE