DUKAJ: INTELIGJENCA ARTIFICIALE SJELL MUNDËSI TË JASHTËZAKONSHME, POR EDHE SFIDA TË REJA

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Dita e dytë e Konferencës së Gjashtë Rajonale për Siguri Kibernetike u hap nga ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, i cili theksoi se epoka e inteligjencës artificiale ka sjellë standarde të reja sigurie, por edhe sfida të reja që kërkojnë qasje të përgjegjshme dhe të koordinuar.

Ai rikujtoi se Mali i Zi tre vite më parë përjetoi një nga sulmet kibernetike më të komplikuara në historinë e tij, që shërbeu si sinjal alarmi për tërë sistemin. Dukaj theksoi se ky sulm tregoi se qëndrueshmëria nuk është zgjedhje, por detyrim, dhe se shteti ka reaguar strategjikisht për të modernizuar mbrojtjen kibernetike.

Ai përmendi themelimin e CIR­T-it qeveritar, Qendrës Operative të Sigurisë (G SOC), si dhe krijimin e Qendrës për Kapacitete Kibernetike të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë, në bashkëpunim me Francën dhe Slloveninë.

Po ashtu, Ligji i ri për sigurinë e informacionit krijon bazën e fortë për zhvillime të mëtejshme.

Ministri nënvizoi se siguria kibernetike është proces i vazhdueshëm që kërkon modernizim konstant të infrastrukturës dhe zhvillimin e profesionistëve.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, me sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe harmonizimin me standardet evropiane, përfshirë direktivën NIS2.

Një fokus i veçantë iu kushtua inteligjencës artificiale, e cila sjell mundësi të mëdha, por edhe kërcënime më të sofistikuara.

Dukaj tha se politika shtetërore duhet të kombinojë përdorimin e IA për mbrojtje me forcimin e sistemeve kundër sulmeve që mundëson vetë IA.

Prioritetet kryesore për periudhën e ardhshme përfshijnë integrimin inteligjent të IA në operacionet e sigurisë, finalizimin e kornizës strategjike për IA, forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, zbatimin e plotë të ligjit për sigurinë e informacionit dhe funksionalizimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike.

Në fund, ministri bëri thirrje për bashkëpunim të vazhdueshëm mes sektorit privat, akademisë, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë për të forcuar qëndrueshmërinë digjitale të vendit, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit mund të sigurohen shërbime digjitale më të sigurta për çdo qytetar të Malit të Zi.

SHARE