Zv/kryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në darkën joformale ministrore BE-Ballkani Perëndimor, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Bislimi duke falënderuar për ftesën Përfaqësuesen e Lartë të Be-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në adresimin e tij para të pranishmëve theksoi rrezikun që shfaqin për demokracinë dhe zhvillimin kërcënimet e sigurisë dhe sulmet e vazhdueshme hibride dhe rëndësinë e unitetit në përballjen ndaj tyre.
Bislimi, i cili uroi Shqipërinë dhe Malin e Zi në avancimin e rrugëtimit të integrimit evropian dhe hapjes së kapitujve drejt anëtarësimit në BE, si dhe përkushtimit të Ukrainës dhe Moldavisë ndaj integrimit në unionin evropian, theksoi se Kosova ka mbështetur dhe vazhdon të përkrahë Ukrainën në luftën e tyre kundër agresionit rus.
Në lidhje me progresin e Kosovës, zv/kryeministri theksoi se përkundër barrierave me të cilat Kosova është përballur, ka arritur të shënojë avancim në shumë fusha.
Zëvendëskryeministri kosovar tha se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, gjersa vendi gëzon dhe mbështetje të fuqishme qytetare ndaj integrimit.
Ai theksoi gjithashtu se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës sfidohet e sulmohet në vazhdimësi nga fqinji verior, si me shkrim përmes letrave të depozituara në BE ashtu edhe përmes veprimeve të kundërligjshme në terren të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar.
Zv/kryeministri përmbylli fjalën e tij duke thënë se momenti gjeopolitik aktual shfaq nevojën dhe rëndësinë e sigurisë evropiane dhe zgjerimit dhe në këtë kontekst “dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe arritja e konsensusit në vendimmarrjen brenda BE-së përbën një hap kyç në këtë proces dhe mesazh të fuqishëm uniteti”.









