GJELOSHAJ: AKSIONI “ÇMIME TË LIMITUARA” KONTRIBUOI NË ULJEN E INFLACIONIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, mori pjesë në manifestimin “IMPULSE” të Klubit të Biznesit gjermano-malazez, të mbajtur në hotelin Ramada në Podgoricë.

Në prani të ambasadorit të Gjermanisë, z. Peter Felten, dhe përfaqësuesve të sektorëve të biznesit të të dy vendeve, Gjeloshaj prezantoi situatën aktuale ekonomike të Malit të Zi.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi rëndësinë e miqësisë së gjatë mes Malit të Zi dhe Gjermanisë, duke theksuar mbështetjen e Gjermanisë për integrimin evropian të Malit të Zi dhe përpjekjet për përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Në të njëjtën kohë, ai prezantoi treguesit kryesorë ekonomikë, si rritja e PBB-së prej 6.3% dhe papunësia e ulët rekord prej 11.4%, të cilët konfirmojnë zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së Malit të Zi.

„Në vitin e kaluar arritëm të përmirësojmë ndjeshëm standardin e qytetarëve duke e rritur pagën minimale në 600 euro, ndërsa pensioni minimal është rritur në 450 euro. Këto masa kanë ndikim konkret në jetën e përditshme të qytetarëve tanë,“ tha Gjeloshaj.

Gjithashtu, ai iu referua suksesit të aksionit “Çmime të limituara”, i cili kontribuoi në uljen e inflacionit në 1% në vit – norma më e ulët në tre vitet e fundit – që uli ndjeshëm koston e jetesës së qytetarëve në të gjithë vendin.

„Në Mal të Zi, ne shpesh në fjalimet tona përdorim: qëndrueshmëri, cilësi dhe seriozitet, si gjermanët, ndaj ju ftoj të vazhdoni të investoni në Mal të Zi, në mënyrë që të gjitha virtytet të jenë prezente këtu dhe të jenë motoja jonë në zhvillimin e biznesit, por edhe të shtetit,“ përfundoi Gjeloshaj.

SHARE