Shqipëria është përfshirë nga moti i keq në orët e fundit, me reshje të dendura shiu dhe stuhi, ndërsa në disa zona ka pasur edhe përmbytje dhe probleme me furnizimin me energji elektrike.
Reshjet e dendura kanë përfshirë disa qarqe të vendit, ndërkohë, situata më problematike është në Qarkun e Shkodrës ku dy persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa në këtë qark ka pasur edhe përmbytje në disa lagje dhe në sipërfaqet bujqësore, si dhe probleme në akset rrugore.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, po punohet për gjetjen e dy shtetasve që janë babë e bir, të cilët sipas policisë i ka marrë rrjedhja e ujit në automjetin më të cilin udhëtonin.
Për përballimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe institucione të tjera.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka vizituar Shkodrën për situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut, ndërsa ai ka deklaruar se ka pasur reshje me intensitet shumë të lartë.
“Forcat e Armatosura janë në krye të punës, duke ndihmuar qytetarët të kapërcejnë këtë pikë nevralgjike. Shmangia e trafikut do ta lehtësonte punën. Gjithsesi, ne jemi këtu gati, me mjete dhe me njerëz për çdo rast”, është shprehur ministri Peleshi.
Peleshi ka theksuar se institucionet janë në gatishmëri për të mbështetur qytetarët dhe për të shmangur dëmet.